Gjykata e Posaçme la në fuqi vendimin e sekuestrimit të celularit të gruas së kryebashkiakut, Erion Veliaj, Ajola Xoxës. Të sekuestruara do mbeten edhe dokumente që u gjetën në shtëpinë e vëllait të tij, Arbër Veliaj.

Orët e para të mëngjesit të gjashtë dhjetorit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në shtëpinë familjarëve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Hetuesit shkuan edhe në Galerinë “Harabel”, që është në përdorim nga Ajola Xoxa, bashkëshortes së Veliajt.

Bashkë me agjentët, nga pamjet e siguruar nga Vizion Plus, duket edhe vetë ajo që hyn brenda të njëjtës galeri, që ndodhet në zemër të ish- Bllokut në Tiranë. Grupi hetimor ka dyshime që edhe në galerinë e artit mund të ketë dokumente apo sende që mund të çojnë përpara procedimin penal.

Kontrollet janë urdhëruar nga Gjykata e Posaçme në kuadër të hetimit pasuror ndaj Veliajt, një veprim ky i ndërmarrë nga Prokuroria Antikorrupsion 20 ditë pasi kryebashkiaku socialist u paraqit në SPAK.

Hetimi pasuror për Erion Veliajn nisi në maj të këtij viti nën drejtimin e prokurorit Olsi Dado.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se veprimet hetimore të kryera në 6 dhjetor kanë të bëjnë me një procedim penal, por pa bërë të ditur akuza apo për cilën dosje për shkak të sekretit hetimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights