Ushtria izraelite njoftoi mëngjesin e sotëm se ka goditur rebelët Houthi dhe infrastrukturën energjetike në Jemen. Më tej ata kanë theksuar se kjo ishte përgjigje e një lëshimi rakete kundër territorit izraelit nga rebelët shiitë. Mediat e kontrolluara nga Houthi raportuan se nëntë persona u vranë në sulmet izraelite.
“Aeroplanët luftarakë të forcave ajrore izraelite goditën objektivat ushtarake të regjimit terrorist Houthi në bregun perëndimor dhe në brendësi të Jemenit,” tha ushtria izraelite.
Sulmet kishin në shënjestër portet si dhe infrastrukturën energjetike në kryeqytetin Sanaa, të cilat rebelët Houthi i përdorin për të mbështetur operacionet e tyre ushtarake.
Më herët gjatë ditës së sotme forcat e armatosura izraelite kishin njoftuar se kanë kapur një raketë të lëshuar nga Jemeni para se të hynte në territorin izraelit, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe të hënën.
