29-vjeçar nga Vlora, Kevin Hajrulla është duke luftuar për jetën pas një atentati të rëndë që ndodhi mbrëmjen e 18 dhjetorit në lagjen “24 Maj” pranë postës së Çoles. Sipas burimeve zyrtare, ndaj tij është qëlluar me një breshëri plumbash, ndërsa një kalimtar i rastit, 35-vjeçari Armand Spahiu, ka mbetur i plagosur lehtë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sulmi ndodhi rreth orës 21:30, kur i riu sapo kishte parkuar automjetin e tij, një “Benz” ngjyrë gri. Autorët, të cilët dyshohet se ishin tre persona, kanë hapur zjarr nga një makinë tip “KIA”, duke përdorur dy armë zjarri që u gjetën më vonë në automjetin e braktisur dhe të djegur në fshatin Panaja, pranë autostradës Vlorë-Fier.
Policia ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë, që mendohet se kanë regjistruar momentet e atentatit dhe lëvizjet e autorëve. Nga këqyrja e deritanishme, është zbuluar se makina e përdorur nga atentatorët kishte targa italiane të vjedhura. Megjithatë, targat nuk u gjetën në automjetin e djegur, duke ngritur dyshime për një plan të mirëmenduar të autorëve për të shmangur gjurmët.
29-vjeçari, i cili ka marrë plagë të shumta në bark dhe trup, u transportua fillimisht në spitalin e Vlorës, ndërsa më pas u dërgua në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Ndërkohë, policia ka kryer kontrolle në disa banesa në zonën pranë vendit ku u braktis makina e autorëve, por deri më tani nuk ka arritur të identifikojë apo të arrestojë personat e përfshirë.
Ende nuk janë të qarta motivet e atentatit, por burime jozyrtare kanë përmendur një lidhje të mundshme me të njohurit e të plagosurit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke ndjekur çdo pistë të mundshme.