Një muaj pa Martinin ishte shkak për protestën e rradhës të organizuar nga prindër e aktivistë. Më 18 nëntor, në orën kur ndodhi konflikti pas mbarimit të mësimit pranë shkollës Fan Noli, përkujtimi i 30 ditëve pa të riun u shndërrua në një marshim drejt Ministrisë së Arsimit, ku pjesëmarrësit mbanin pankarta për siguri më të madhe në institucionet arsimore.
Zëri më i fuqishëm i protestës ishte i Florinës, nënës së Martinit, e cila bashkë me Ëngjëllin përballojnë dhimbjen e humbjes së fëmijës dhe kërkojnë drejtësi.
“Kush ishte ai që nuk e mbrojti Martinin? Ishte një fëmijë i buzëqeshur, e kam në çdo moment buzëqeshjen e Martinit. Ai ishte i përpiktë, nuk jam fjalë. Nuk jam vetëm nëna e Martinit sot, të mbrohen të gjithë Martinët e tjerë, zemra ime është e thyer. Drejtësi për Martinin dhe Luisin,” u shpreh ajo në fjalën e saj prekëse.
Vrasja e adoleshentit në konfliktin me bashkëmoshatarët e tij tronditi opinionin publik dhe këtë të mërkurë, në homazh të tij është mbajtur rituali i ndezjes së qirinjve në derë të shkollës, si një simbol për të mos harruar tragjedinë që ndodhi.