Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet lidhur me dosjen e njohur si “Toyota Yaris” dhe pritet të dërgojë çështjen në Gjykatën e Posaçme. Ndaj disa të pandehurve janë ngritur akuza për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe korrupsion, me qëllim lehtësimin e personave të përfshirë në kontrabandën e 3.4 milionë eurove të fshehura në makina të importuara.
SPAK ka komunikuar akuzat ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i cili tashmë ndodhet nën arrest që prej 29 korrikut 2024. Akuzat iu janë komunikuar gjithashtu avokatëve Radovan Çela dhe Astrit Vladi, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe korrupsion aktiv. Po ashtu, e pandehura Erjona Daupaj, e cila ndodhet në kërkim, përballet me akuza për zbulim të sekretit hetimor dhe korrupsion.
- Aurel Zarka: Akuzohet për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm. Ish-kryeprokurori është arrestuar më 29 korrik dhe ndodhet në proces Vettingu.
- Radovan Çela: Përballë akuzave për korrupsion aktiv dhe ndikim të paligjshëm.
- Astrit Vladi: I dyshuar për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion aktiv. Në dosje, ai shfaqet si personi që ka përfituar nga këto ndërhyrje, pasi është kushëri i Elvis Vladit, i dënuar më herët për fshehjen e 3.4 milionë eurove në automjetin Toyota Yaris.
- Erjona Daupaj: E dyshuar për ndikim të paligjshëm dhe zbulim të sekretit hetimor.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi ka bashkëpunuar për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve në favor të të akuzuarve. Zarka dyshohet se ka ndërhyrë në pushimin e një pjese të çështjes, duke përfshirë persona që përfituan nga drejtësia përmes mungesës së provave.
SPAK ka përdorur si provë materiale përgjimet nga platforma e koduar SKY ECC, të cilat zbuluan ndërveprime dhe komunikime që përfshinin emra kyç. Dosja përfshin gjithashtu prova mbi kontrabandën e parave nga linja Angli-Belgjikë-Gjermani-Shqipëri, ku çdo dërgesë përmbante rreth 10 kilogramë heroinë ose shuma të mëdha parash të fshehura në makina.
Gjykata e Posaçme kishte lënë në paraburgim Zarkën më 31 korrik 2024, ndërsa të pandehurit kanë afat deri në 10 ditë për të paraqitur pretendimet e tyre përpara se çështja të kalojë në gjyq.