Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së Edi Rama deklaroi sot nga Kamza se “nëse ia jepni votën Rakip Sulit dhe 4 vite të tjera do bëjmë për Kamzën katër herë më shumë se këto 4 vjet”.
Në vijim të rrugëtimit të gjelbër drejt zgjedhjeve të 14 majit, Rama tha në fjalën e tij se “falënderim për mbështetjen tuaj në momentin e ndërhyrjes sime për të hequr apendisitin, erdhi në një moment kur kemi një apendisit më të rëndësishëm për të hequr, që është apendisit me 2 koka, emrat e të cilëve nuk po i përmend që të mos e prishim kënaqësinë e kësaj feste të gjelbër”.
“Duke luftuar me mjekët dhe stafin tim për të dalë nga kafazi, ata kanë të drejtën e tyre, më në fund iu mora një takim jashtë zyre dhe shtëpie dhe midis të gjitha opsioneve iu thashë do shkoj te Rakip Suli në Kamzë sepse këtu është pasqyra më kuptimplotë e fjalës Rilindje. Dhe mendova që do marr unë pak nga Rilindja juaj dhe e Kamzës që të heqim apendisitin e 14 majit”, tha Rama.
Rama u ka kthyer përgjigje të gjithëve për kritikat ndaj këngës së fushatës, që është tallava.
“Sikur të ishin nga njerëz që dëgjojnë Beethoven do ua falja, po janë ata që dëgjojnë çdo ditë Saliun dhe Ilirin. Se ata që dëgjojnë Beethoven nuk mërziten me tallavanë se janë njerëz të lirë dhe kur njeriu është i lirë dhe nuk pranon diktaturat e shijeve i pëlqejnë të gjitha këngët”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kemi ardhur jo mbi tribunë që të dukemi më lartë se ju dhe me një ekran që të tregojmë shkollat ku çoni fëmijët i shihni vetë , kopshtet që çoni fëmijët i shihni, çerdhet që çoni bebet dhe i shihni vetë. Në një në një bashki, e cila është pasqyra më rrezatuese e rilindjes së arsimit dhe kujdesit për fëmijët”.
“Kjo është bashki, e cila në fillim u krijua nga ëndrra që erdhën nga realitetet më të varfra, më të izoluara, më të harruara të Shqipërisë. Nuk e harroj pamjen në fillim ku shumë nga këta të rinj nuk kishin lindur akoma, ishte fusha tek Instituti e mbushur me tenda, me qese plastike, e filluan me qese plastike dhe menduan se demokracia që erdhi me mundësinë e lëvizjes së lirë ishte e lidhur me ata që krijuan Partinë Demokratike dhe pastaj e kthyen Kamzën, kthyen ëndrrën, vetë konceptin e të qenit djathtas në barut për topat e interesave të tyre më të zymta e më të ulëta”, theksoi Rama.
Më tej Rama u shpreh se “u desh Rakip Suli që ti jepej një herë të vetme në 30 vjet besimi Partisë Socialiste që shumë njerëz ta kuptojnë që ky liqen nuk është as i majtë e as i djathtë që kjo ura iu shërben edhe të majtëve e të djathtëve që ky ndriçimi nuk ndriçon majtas ose djathtas që shkollat kopshte e çerdhet nuk janë të majta apo të djathta, që palestra për fëmijët ku sot Kamza po çudit Shqipërinë me kalamajtë që po mundin Tiranën mendjemadhe të lali Erit nuk janë të majtë e të djathtë”.
Rama tha se nuk do të bashkëpunojnë me asnjë nga bashkitë që do të zgjedhin fitues një kandidat që vjen nga koalicioni i Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Kush do fusi gomarin me veshë të gjata në bashki, ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mund të na vënë përpara faktit të kryer dhe të na detyrojnë të bashkëpunojmë me individë të shpallur non grata, jo nga unë, as nga Mali i Zi, as nga Maqedonia e Veriut, por nga SHBA. Me SHBA do luftojnë? Kjo nuk është sfidë, por turp dhe me këtë turp Shqipërisë ne nuk do ia lejojmë”, tha Rama.
Rama theksoi se “është e habitshme se si ithtarët e demokracisë, ithtarët e lirisë, ithtarët e ndryshimit që këtu në Kamëz kanë një vatër të madhe që vjen nga historia, ta pranojnë në këtë sfidë, me SHBA do luftojnë? Po kjo nuk është luftë. Kjo është turp dhe këtë turp ne Shqipërisë nuk ia lëmë në fytyrë. Tani po ju them edhe një gjë tjetër. Ju e dini Kamzën dhe e dini më mirë se unë se i keni jetuar rrugët gjithë baltë, i keni jetuar ato çerdhet e tmerrshme, i keni jetuar ato shkollat tmerrshme, të gjitha të lyera me një blu të shëmtuar se bluja është një nga ngjyrat më të bukura, po nuk e di ku e gjenin atë blu. Se i kam parë kur kemi shkuar që i kemi rindërtuar të gjitha, të gjitha nga e para dhe nuk besoj se i ka shkuar mendja një njeriu që një kopsht në Kamëz do merrte çmim ndërkombëtar si kopshti më i bukur i ndërtuar në Europë atë vit. Në Evropë!”.
“Po ju them, më tregoni një qytet, një. Ju vini nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Ju vini këtu por keni atje akoma njerëz, po shkoni atje për arsye të ndryshme. Ju i keni parë 30 vjet qytetet e Shqipërisë si kanë ndryshuar, si kanë ecur, si s’kanë ecur. Më tregoni një qytet, më tregoni një komunë, më tregoni një fshat kur e kishin në dorë veshgjatët. Pa kollonë fare, pa kurriz, vetëm veshë të gjata edhe ku nuk shkuan gjërat vetëm poshtë, vetëm për prapa, se nuk dinë. E dëgjuat këtë figurën? Se këta të bëjnë edhe me vdek fare, nga e qeshura, kuptohet. Do hapim sheshin Skënderbej tha, do bëhet me nënkalime. Pse? Sepse këta dinë vetëm të hapin gropa. Këta, një gropë nuk dinë ça të bëjnë kur e hapin. Një. Këta hapin vetëm gropa. Kush shkon pas tyre shkon vetëm pas gropave dhe me këtë rast, besoj që ata që janë demokratë por kanë mendjen në vend, se janë plot me mendjen në vend, besoj që e kanë kuptuar që janë të gjitha të pavërteta të gjitha ato poshtërsitë, “Edi Rama nuk ju do, Edi Rama s’e do Kamzën, Edi Rama kështu”, sepse kaq mundësi, kaq. 4 vjet s’janë asgjë në një vend ku janë hapur gropa 30 vjet. 4 vjet mundësi patëm edhe ngado që shikoni, e shikoni që e shfrytëzuam këtë mundësi vetëm për të bërë mirë për Kamzën, nuk kemi parë as të majtë e as të djathtë, as demokratë e as socialistë, asgjë se të gjitha këto vlejnë për t’u ulur në tavolinë për të bërë debat”, tha Rama.
Takimi vijoi me mbjelljen e pemëve në parkun e Paskuqanit, ku Rama theksoi se “do vazhdojmë punën për mbjelljen e pemëve”.

