Screenshot 7 11 752x440

Deputetja e Partisë së Lirisë, me bastun në dorë dhe e shoqëruar nga avokati i saj Redi Llanaj, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të apeluar vendimin e sekuestrimit të dy vilave të saj, të ndodhura në rezidencën “Kodra e Diellit”.

Pas seancës, Kryemadhi deklaroi para mediave se planifikon të drejtohet Gjykatës Europiane të Strasburgut për të kundërshtuar vendimin. “Pesë minuta para se të hyja në gjyq, dhjetë policë zbarkuan në derën e shtëpisë sime. Mund të ketë qenë rastësi ose një skenar për të krijuar presion psikologjik. Megjithatë, procedura vazhdoi të nesërmen dhe u firmosën dokumentet nga agjencia e sekuestrimeve,” tha ajo.

E pyetur nga gazetarët mbi planet e saj për banim pas vendimit për sekuestrimin e pronave, Kryemadhi u shpreh me ironi: “Do të jetojmë në çadër. Ka plot të tilla nga tërmeti, ose ndoshta mund të marr një kontejner me qira.”

Vendimi për rastin pritet të shpallet të martën, më 17 dhjetor, në orën 11:00 nga GJKKO.

Kjo çështje ka ngjallur interes të gjerë publik dhe pritet me vëmendje për shkak të implikimeve politike dhe ligjore që mund të pasojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights