Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Cakranit, ku një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një konflikti me një bashkëmoshatar në ambientet e një shkolle të mesme.
Sipas Tonin Xhelaj, drejtori i Qendrës Shëndetësore të Cakranit, i riu ka mbërritur në qendrën mjekësore i shoqëruar nga disa bashkëshokë, duke kërkuar ndihmë urgjente. Ai ka marrë katër plagë nga një mjet prerës dhe, pasi i është ofruar ndihma e parë, është transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka nisur një natë më parë pas një debati në rrjetin social Snapchat. Situata u përshkallëzua në oborrin e shkollës, ku pas një debati verbal, ndodhi sulmi fizik. Autori i dyshuar, i cili tashmë është ndaluar nga policia, ka pranuar se incidenti ka qenë rezultat i tensioneve që kishin vazhduar prej disa orësh.
Policia e Fierit ka nisur një hetim të thelluar për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Prokuroria ka marrë dëshmitë e dy mësueseve të pranishme në momentin e konfliktit dhe ka bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes.
Ky incident ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me sigurinë në shkolla dhe ndikimin e rrjeteve sociale në sjelljet e të rinjve. Komuniteti dhe autoritetet lokale kanë bërë thirrje për masa të rrepta për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.