Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Klajdi Sejranin dhe Euxhenjo Manushin, të ndaluar disa ditë më parë në kryeqytet me 1 kilogram kokainë.
Në seancën gjyqësore, të rinjtë pretenduan se lënda narkotike ishte për përdorim personal dhe jo për trafikim, por ky argument nuk u pranua nga Gjykata, e cila i la të dy në paraburgim. Pavarësisht përpjekjeve të avokatëve për një masë më të lehtë sigurie, vendimi i gjykatës mbeti i pandryshuar.
Të rinjtë u arrestuan në flagrancë, ndërsa lëviznin me një automjet luksoz në Tiranë. Hetuesit dyshojnë se ata mund të kenë qenë të përfshirë në shpërndarjen e kokainës te grupet e të rinjve dhe personazhe të njohur, por këto pretendime mbeten ende për t’u provuar nga Prokuroria e Tiranës.
Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu dy celularë të përdorur nga të ndaluarit, të cilët pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të këtij rasti. Hetimet për përfshirjen e tyre në rrjete më të mëdha shpërndarjeje janë në vijim.