Mikel Zaho, ish-jurist i Kadastrës së Durrësit, është arrestuar për herë të tretë në pesë vitet e fundit, pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronave në bregdet. Ai ishte shpallur në kërkim që nga prilli i këtij viti, pas vendimit të gjykatës për masën e sigurimit “arrest me burg”.
Hetimet, të cilat filluan që në vitin 2019, kanë zbuluar një skemë të paligjshme për përfitimin e 151 mijë metrave katrorë tokë në Spitallë të Durrësit. Rasti u riaktivizua në shkurt të vitit të kaluar, pas një denoncimi nga një qytetar që pretendonte se toka e tij, ende në proces gjyqësor për njohjen e pronësisë, ishte zaptuar nga dy subjekte. Njëri prej tyre pretendonte ta kishte blerë pronën nga një kompani tjetër.
Hetimet treguan se në këtë proces të paligjshëm të tjetërsimit të pronës kishin marrë pjesë disa ish-punonjës të Kadastrës, përfshirë Mikel Zahon, i cili ka nisur procedurat në vitin 2019. Kjo ka rezultuar në firmosjen e dokumenteve nga zëvendësregjistruesi, duke anashkaluar drejtuesin e atëhershëm të Kadastrës. Tokat janë shitur më pas, ndërsa janë përdorur dëshmitarë të rremë, punonjës të ndërmarrjes bujqësore të Spitallës, për të justifikuar veprimet e paligjshme. Hetimet kanë identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë, të cilët kanë shkelur ligjin për tjetërsimin e pronave.