Dinamika e ngjarjes tragjike që ndodhi pasditen e dielës në një restorant në Ndroq të Tiranës është zbardhur. Sipas informacionit Alfred Dedja ka hyrë në restorantin ku ndodhej Julian Gjoshi, i shoqëruar nga disa persona të tjerë. Pas një shkëmbimi të shpejtë fjalësh, Gjoshi ka qëlluar Dedjan nga brenda xhepit të xhupit. Dedja është goditur me pesë plumba, tre prej të cilëve ia morën jetën menjëherë. Pasi ka kryer krimin, autori është larguar me një mjet “Benz”, ndërsa ende nuk është kapur nga policia. Mjeti i tij është gjetur në zonën e Shkëmbit të Kavajës, por arma e krimit nuk është gjetur ende.
Policia ka zhvilluar një tjetër kontroll të hënën në lokalin ku ndodhi ngjarja, duke marrë prova të mëtejshme. Deri tani janë marrë në pyetje rreth 20 persona, përfshirë të afërm të viktimës dhe autorit.
Alfred Dedja, një person që jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë, kishte pasur disa njohuri me autorin, dhe siç ka rezultuar, para disa ditësh ata kishin pasur një konflikt të mëparshëm. Hetuesit ende nuk kanë mundur të zbardhin plotësisht motivin e krimit, por dyshohet se shkaku mund të ketë qenë ndonjë çështje që lidhet me tregtinë e drogës jashtë vendit.
Julian Gjoshi, i dyshuari për vrasjen, ka pasur precedentë penalë për “armëmbajtje pa leje” dhe ka vuajtur një dënim prej 11 muajsh burg. Ai është përmendur gjithashtu në një vendim të Gjykatës së Posaçme lidhur me ish-deputetin Jurgis Çyrbja, pasi kunati i tij, Altin Hajri, i kërkoi ndihmën këtij të fundit për ta liruar nga burgu. Hajri është shpallur në kërkim që nga janari i vitit 2020, përfshirë në ngjarjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.