Një 50-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri pasditen e kësaj të diele në Ndroq të Tiranës. Alfred Dedja, banor i zonës u qëllua për vdekje teksa ndodhej në një restorant të njohur në zonë.
Autori, i identifikuar si Julian Gjoshi 27 vjeç, nga Shijaku, u afrua pranë Dedjas në këmbë dhe më pas qëlloi në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Klientët e tjerë që ndodheshin në restorant u larguan në panik. Pas krimit, Julian Gjoshi u largua nga vendi i ngjarjes me një Benz të zi, në drejtim të qytetitit te Durrësit.
Në momentin që ka kryer vrasjen, ai ka qenë i pamaskuar. Pista kryesore ku po heton policia për të zbardhur shkaqet e ngjarjes së rëndë është ajo e prishjes së pazareve të drogës.
I dyshuari për krimin, Julian Gjoshi, sipas burimeve, është kunat i Altin Hajrit nje personazh i njohur per uniformat blu.
Në janar të vitit 2021 Gjoshi u arrestua për armëmbajtje pa leje sepse u kap në Tiranë duke lëvizur me pistoletë në makinë.
Por Altin Hajri i kërkoi ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja të ndërhynte për ta liruar.
Më pas, Julian Gjoshi u la në arrest shtëpie. Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli për ta vënë në pranga Julian Gjonin.
Ndërkohë, kunati i tij Altin Hajri është i shumëkërkuar nga policia, si i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen pa gjurmë të Jan Prengës.
Altin Hajri bashkë me të vëllanë, Emiljanon zotërojnë kompleksin “Golden” në Shijak. Sipas SPAK, Altin Hajri është një personazh i botës së krimit të cilit ish-deputeti Jurgis Çyrbja i shiste sekrete hetimore.