Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin e tij të madh lidhur me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili ka shkaktuar rrezik për furnizimin me ujë dhe energji për shumë qytetarë të Kosovës. Ky sulm është cilësuar nga BE si një akt “terrorist” dhe “sabotues”. Përmes një deklarate, Josep Borrell, shefi i diplomacisë evropiane, e ka dënuar ashpër këtë ngjarje, duke theksuar se ky është një sulm ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës që ofron ujë dhe energji për shumë rajone të vendit.
Borrell shprehu mbështetje të fortë për Qeverinë e Kosovës dhe i ofroi solidaritet kryeministrit Albin Kurti. Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjerë, duke arrestuar tetë persona dhe sekuestruar armë dhe pajisje ushtarake të tjera. Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se hetimet janë duke vazhduar dhe se shumë nga të arrestuarit dyshohet se janë lidhur me aktivitete ilegale dhe organizatën terroriste të quajtur Mbrojtja Civile, që operon në veri.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e cilësoi shpërthimin si një nga sulmet më të rënda ndaj infrastrukturës kritike që ka ndodhur në Kosovë pas luftës së vitit 1999. Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar Serbinë për këtë akt, duke e quajtur atë kriminal dhe terrorist. Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mohuar çdo lidhje të Beogradit me shpërthimin dhe ka theksuar se nuk ka asnjë provë që të lidhë Serbinë me këtë ngjarje.