Të miturit që kryejnë vepra penale mund të mos dërgohen më në qendrat e riedukimit, por në një institucion të veçantë për fëmijët që janë në konflikt me ligjin.
Pavarësisht skepticismit të shprehur lidhur me sistemet e riedukimit, Kryeministri Edi Rama njoftoi se projekti i ri, i cili është ndërtuar duke u bazuar në sugjerimet e Bashkimit Europian, është i gatshëm për t’u implementuar.
Për të rritur sigurinë në shkolla, qeveria ka planifikuar të instalohet një sistem të ri monitorimi me kamera, të cilat do të mund të kontrollohen nga prindërit dhe forcat e rendit. Kjo do të mundësojë mbikëqyrje në hyrje dhe daljen e institucioneve shkollore, me qëllim kapjen e armëve dhe lëndëve të rrezikshme.
Gjatë prezantimit të këtij projekti në shkollën “Janaq Kilica” në Fier, Rama tha se opozita po përpiqet të shfrytëzojë situatën e tensionuar për qëllime politike, duke përmendur edhe ngjarjen tragjike të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Pas incidentit të vrasjes në shkollën “Fan Noli”, qeveria po shqyrton mundësinë e vendosjes së disa kufizimeve për aplikacionet sociale si TikTok dhe Snapchat, të cilat, sipas tij, po nxisin sjellje agresive tek fëmijët. Para se të marrë një vendim të tillë, ai ka filluar një seri takimesh me prindërit dhe mësuesit për të diskutuar mbi këtë çështje.