Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me shpërthimin e mbrëmjes së djeshme në veri të Kosovës, në komunën e Zubin Potok. Përmes një postimi në “X”, Rama shprehet se akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës.

Ai shkruan më tej se ky sulm godet gjithashtu e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ndërsa thotë se ngjarja duhet zbardhur sa më parë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

Rama gjithashtu i bën thirrje Bashkimit Europian të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes saj dhe Serbisë. Kryeministri thotë se formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara, ndërsa shprehet se fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.

POSTIMI I RAMËS: 

Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights