Një incident i rëndë ka ndodhur këtë të premte në Maqedoninë e Veriut, kur policia ndërhyri për të hequr flamujt shqiptarë të vendosur për festimet e 28 dhe 29 Nëntorit. Në pamjet që po qarkullojnë, dallohet një polic (me inicialet D.K.) që heq flamurin shqiptar në Kumanovë dhe e hedh atë në tokë, një veprim që ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë tek shqiptarët e Maqedonisë.
Ky akt është cilësuar si një skandal, pasi ndodhi në vigjilje të festave që përkujtojnë Pavarësinë dhe Çlirimin e Shqipërisë. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se do të nisë një procedurë disiplinore ndaj policit. Zv. ministri Astrit Iseni theksoi se çdo punonjës i MPB-së ka detyrimin të respektojë simbolet dhe ligjet e të gjitha grupeve etnike në vend dhe çdo shkelje do të sanksionohet.
Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në Shkup, ku është djegur flamuri i Maqedonisë së Veriut, duke sjellë reagime të forta nga qytetarët dhe autoritetet. Ministria e Brendshme ka njoftuar se ka arrestuar 8 persona, përfshirë një të mitur dhe disa të rinj nga 18 deri 21 vjeç.
Partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë reaguar duke thënë se ishte policia ajo që nxiti incidentin, duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festimet e 28 Nëntorit në sheshin Skënderbe të Shkupit.