Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli në Foltoren e Kuvendit, duke thënë se bonusi i fundvitit i premtuar nga kryeministri për pensionistët është një mashtrim, pasi ai jepet nga qeveria një herë në katër vjet, për efekt elektoral.
“Duartrokiti veten, nuk tha asgjë për shqiptarët! E duartrokitën këta këtu se në fakt është buxheti i tyre dhe jo i shqiptarëve dhe po ta shikonit në çdo tre fjali, thoshte buxheti im i parë, sepse e vërteta është që ne kemi ngelur ashtu siç ka qenë në buxhetin e tij të parë.
Sot, ai nuk foli për atë që parashikon buxheti i ardhshëm për pensionistët sepse buxheti i ardhshëm ka zero lekë rritje pensionesh, madje nuk guxoi ta përmendte fjalën rritje të pensioneve. Na foli, për një fond të caktuar nga buxheti i shtetit si një tentativë për të blerë votën e pensionistëve, kujtohet për ta një herë në katër vite. Atë që bën me qytetarët në nevojë, me paratë që i vjedh nga buxheti me anë të korrupsionit, me zarfin 50 euro apo 100 euro për votë. Kujton se do t’i mashtrojë me një buxhet minimal për t’i dhënë atë që quhet bonus i fundvitit. Në fakt, është një shpërblim që gjithë vendet e rajonit, çdo vend evropian e jep në shenjë solidariteti ndaj pensionistëve në çdo fundviti”, tha Bardhi.
Deputeti i PD-së shtoi se krahasuar me nivelin e pensioneve minimale apo mesatare në rajon, Shqipëria ka shifrat më të ulëta.
Nuk po u bën nder, ato janë lekët e tyre që duhet t’i kishin marrë si shpërblim në këtë masë, por ky jua jep një herë në katër vite. Pensionistët presin pensione sa në Mal të Zi, Bosnje etj”, tha Bardhi.
Sipas tij, pensionistët në 12 vite të qeverisjes së Partisë Socialiste kanë pensione gati 8% më të ulëta.