Ngjarja e rëndë, e ndodhur në mes të Tiranës, pranë shkollës Fan S. Noli, pak metra larg Prokurorisë së Përgjithshme, ku një 14-vjeçar u godit për vdekje me thikë, dhe një bashkëmoshatar i tij u plagos, shkaktoi debatin e rradhës në sallën e Kuvendit.
Gjatë seancës plenare ku po diskutohet pr/buxheti, deputetja demokrate, Ina Zhupa tha se kjo ngjarje e rëndë tregon se siguria në shkolla ka rënë.
“Se si në mes të Tiranës mund të humbësh jetën dhe nuk gjendet një oficer sigurie që të shmangë sherrin me thika në derën e shkollës. Paratë janë, por vetëm propagandë bëhet për sigurinë në shkolla. Ministri Balla dhe Ministrja Kushi shkuan shkollë më shkollë për paketën e sigurisë në shkolla, por nuk e di ku e kanë arkivuar atë paketën, ministrat e rinj Hoxha dhe Manastirliu”, tha Zhupa në Kuvend.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, tha se është një ngjarje nga e cila duhet të reflektojmë. “Kjo ngjarje na fton që si përfaqësues të qytetarëve të angazhohemi më shumë për ambient më të sigurt për fëmijët tanë. Të forcojmë edhe më shumë mekanizmat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë, duke luftuar dhunën e të gjitha formave”, tha Manastirliu.