Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se dallimi më i madh i kësaj fushate elektorale është se forca përballë do t’u gjejë njerëzve punë përmes votës, ndërkohë që PS vendos në dispozicion të punës njerëzit e duhur.
Në një takim elektoral nga Gjirokastra, Rama tha se “është koha e një kapërcimi të ‘gardhit’ edhe për ata që janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër në emër të ndarjeve ideologjike mes të djathtës e të majtës”.
“Nuk ka ne dhe ata kur punojmë për të garantuar një qytet apo fshat më të mirë për shqiptarët, apo kur bëhet fjalë për të pastruar e mbajtur pastër mjedisin ku jetojmë, për të pasur më shumë gjelbërim, komunitete që jetojnë në vendbanime të ndriçuara, çerdhe, shkolla, kopshte, që kemi treguar se dimë t’i bëjmë si më të mirat në Europë me fondet publike”, tha Rama.
Sipas tij në 14 maj, qytetarët duhet të mendojnë se për kë do të japin votën dhe të marrin në punë në shërbim të familjes.
“Këtu nuk bëhet fjalë për të ndarë me tifozllik sa të fortë jemi ne dhe ata, por bëhet fjalë për të angazhuar njerëzit e duhur dhe për t’i gjetur punës njerëzit. Ky është dallimi më i madh në këtë fushatë. Ka forca përballë nesh që duan t’i gjejnë njerëzve punë nëpërmjet votës, ndërsa ne jemi forcë që duam që punës t’i vëmë në dispozicion njerëzit e duhur. Duke bërë punën në krye të bashkive dhe gjithë sektorëve në mënyrë që puna e përbashkët e të gjithëve të shkojë përpara, përndryshe ne kthehemi mbrapa”, tha ai.
Rama solli në vëmendje rastin e Shkodrës ku për 31 vite PD e ka pasur në dorë falë një fanatizmi politik të verbër.
“Shkodra sot është qyteti më i papastër i Shqipërisë. Në qytetet që qeverisim ne nuk ekziston që që kazanët të rrinë mbuluar nga plehrat me ditë të tëra. Sot ne kemi qytete të pastra. Të huajve kjo i bën përshtypje, por nuk është thjesht çështje individësh, është çështje e një kulture qeverisjeje dhe përgjegjësie siç ata nuk e kanë. Atyre jepi çelësin e një zyre aty brenda bëjnë çetën e tyre dhe nuk ka më lidhje ajo çetë me ata që i futën në zyrë”, tha Rama.