Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari ka qenë sot në Porto Romano për të parë nga afër situatën ku ruhen 102 kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike. Ai shprehet se vendi ku ndodhen mbetjet është i rrethuar me mure të larta dhe nuk dihet se çfarë ndodh pas tyre.
“Jemi këtu në Porto Romano në Durrës, në distancën që të lejon policia, ku janë vendosur 102 kontejnerët me mbetjet e rrezikshme të dyshuara si toksike. Prej disa ditësh, këto lëndë, që përshkuan botën por u kthyen të konsideruara si trafik ilegal, janë mbyllur pas këtij muri dhe e kontrolluar nga policia. Qytetarët, nuk dinë se çfarë po ndodh. Qeveria prej fillimit nuk ka bërë detyrën, nuk ka bërë transparencë. Edhe pse ajo është totalisht përgjegjëse për këtë situatë”, tha Muçollari.
Ai shtoi se “Ministrja e Mjedisit na tregon çdo ditë sa i mirë është byreku që bëhet në Gjirokastër, por nuk bën detyrën për të cilën paguhet, për të cilën ka përgjegjësi ligjore dhe morale”.