Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kritikoi punën e Komisionerit të Prokurimit Publik, duke theksuar se ka lejuar krijimin e skemave “5D” si në Bashkinë e Tiranës, ashtu edhe në bashkitë e tjera të vendit.
Bardhi gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u ndal tek Bashkia e Tropojës, duke thënë se Rexh Biberaj i ka dhënë rreth 5 milion euro tendera kushëririt të tij, ndërsa apeloi që SPAK të veprojë.
Duke përmendur konkretisht disa procedura prokurimi, Bardhi tha se: “Kryetari i Bashkisë Tropojë i jep tenderat djalit të xhaxhait. Janë dy kompani në emër të kushëririt të tij dhe vetëm në 3 vite i ka dhënë më shumë se 4.7 milion euro. Kontrata për ndërtimin e tregut të bagëtive, dhe sot nuk ekziston ai treg. Po ashtu ka përfituar edhe 3 procedura të tjera tërësisht korruptive dhe në konflikt interesi. Tre janë ankimuar tek ju dhe ju keni shpallur fitues djalin e xhaxhait të tij, edhe pse kishte ofertën më të lartë. Ka edhe kontratë tjetër për ndërtimin e rrugëve. Gjashtë konkurentë në garë, pesë të skualifikuar në kundërshtim me ligjin dhe fitues shpallet sërish djali i xhaxhait”.
Bardhi denoncoi mosveprimin e Këshillit të Ministrave për të shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë Tropojë.
Bardhi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të veprojë pa vonesa. “SPAK duhet të mbrojë interesin publik dhe të veprojë për këto tendera korruptivë dhe në kushtet e konfliktit të interesit, që kanë shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar për shtetin”- theksoi Bardhi.