Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti zërin kundër buxhetit të propozuar për vitin 2025, duke e cilësuar atë si një plan që nuk reflekton nevojat e vërteta të qytetarëve shqiptarë dhe që vazhdon të favorizojë një pakicë të privilegjuar, ndërsa pjesa më e madhe e shoqërisë mbetet e lënë pas dore. ” Zhurmë e madhe, propagandë e madhe, rritje pagash, pensionesh, një realitet tjetër paralel që asnjë nga qytetarët shqiptarë nuk e prek, ” tha Tabaku, duke kritikuar fuqishëm retorikën e qeverisë dhe duke theksuar ndarjen mes propagandës dhe realitetit të vështirë ekonomik që përballen qytetarët çdo ditë.
“Fakti është që sot çmimet janë rritur 60% dhe kjo rritje dëmton më shumë pensionistët, të cilët nuk kanë pasur rritje pensioni në 12 vitet e shkuara, ” tha ajo, duke shtuar se rritjet minimale të pensioneve, prej vetëm 1% në vit, nuk janë të mjaftueshme për të përballuar koston e lartë të jetesës.
Duke vazhduar analizën e saj, Tabaku shpjegoi se modeli ekonomik aktual i qeverisë përqendron përfitimet tek një grup i vogël biznesesh dhe individësh të lidhur me kontratat publike, ndërkohë që shumica e popullsisë përballet me barrën e rritjes së çmimeve dhe mungesën e mbështetjes. ” Ky model ekonomik që të gjithë rritjen e çmimeve ja ngarkon shtresave më të varfra dhe më në nevojë duhet të ndryshojë, ” theksoi ajo, duke bërë thirrje për një reformë të thellë të sistemit ekonomik në mënyrë që përfitimet të shpërndahen në mënyrë më të barabartë.
” Ekonomia shqiptare duhet të prodhojë për të gjithë, duhet të rritet për të gjithë dhe ky buxhet nuk sjell asnjë ndryshim në këtë kuptim, ” tha ajo, duke shpjeguar se formulat e njëjta buxhetore, të aplikuara vit pas viti, nuk kanë sjellë ndryshim as për pensionistët dhe as për shtresat e tjera në nevojë.
Në fund të deklaratës, Tabaku nënvizoi rëndësinë e ndryshimit të modelit ekonomik dhe të qeverisjes, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri për t’i dhënë fund një sistemi që, sipas saj, favorizon pakicën. ” Ashtu siç ka ndodhur për 12 vite me radhë, nuk ka ardhur ndryshimi prej tyre. Ne këtë duhet të ndryshojmë: modelin ekonomik, qeverisjen, sistemin i cili favorizon më shumë pakicën, ” përfundoi ajo, duke bërë thirrje për një vizion të ri që të mundësojë një ekonomi më të drejtë dhe të qëndrueshme për gjithë shqiptarët.