Gjykata e Apelit të Posaçëm ka miratuar dënimin me burgim të përjetshëm për Laert Haxhiun, duke konfirmuar kështu vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Në seancë ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, avokati mbrojtës Detar Hysi dhe babai i Haxhiut. Mbrojtja e Haxhiut ka paraqitur 58 faqe dokumentesh si pjesë e dosjes gjyqësore dhe ka kundërshtuar vendimin e dënimit të përjetshëm, duke kërkuar që çështja të rishikohet me drejtësi dhe objektivitet. Avokati Hysi kërkoi që vendimi të anulohet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në të njëjtën gjykatë, por me një trupë gjyqësore të ndryshme. Ndërkohë, kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se vrasjet e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës ishin pa motiv personal ndaj viktimave, pasi qëllimi kryesor ishte eliminimi i Xhuljo Shkurtit, me të cilin Haxhiu kishte një konflikt të gjatë. Dumani shtoi se provat e grumbulluara dëshmojnë se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal. “Kemi vërtetuar ekzistencën e grupit të organizuar kriminal. Mes Haxhiut dhe Shkurtit ka pasur një konflikt të vazhdueshëm. Grupi ka treguar një nivel të lartë organizimi, duke siguruar informacione për lëvizjet e Shkurtit dhe armë zjarri për kryerjen e sulmit,” tha Dumani. Laert Haxhiu ka apeluar vendimin e shkallës së parë, që e dënonte në mungesë me burg të përjetshëm për ngjarjen e njohur si “Masakra e Lushnjes” të vitit 2017, ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.