Qytetarët amerikanë sot votojnë për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.
Qendrat e votimit u hapen nga ora 05:00 në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë në Alaskë dhe Havai, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara. Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvani, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm.
Të dy kandidatët mbajtën fjalimet e tyre të fundit para votuesve të hënën në të njëjtën pjesë të Pensilvanisë, afërsisht në të njëjtën kohë, duke kaluar ditën e fundit të fushatës presidenciale në një shtet që mund të jetë vendimtar në zgjedhjet e sotme.
81 milionë amerikanë votuan para kohe, qoftë personalisht në qendrat e votimit ose nëpërmjet postës. Kjo është gjithsej më shumë se gjysma e 158 milionëve që votuan në zgjedhjet e vitit 2020, kur presidenti Joe Biden mposhti Donald Trump. Sondazhet e publikuara deri një ditë më parë i vendosin kandidatët në një raport ekuilibrues. Diferencën mund ta bëjnë disa shtete të lëkundura. Si Donald Trump ashtu edhe Kamala Harris shpresojnë të marrin votat e të pavendosurve. Me sondazhet kaq të ngushta, rezultatet e plota në shtetet e lëkundura vendimtare nuk kanë gjasa të jenë të disponueshme të martën mbrëma dhe mund të mos dalin as të mërkurën, duke i lënë SHBA-të dhe botën më gjerë në dyshime se kush mund të dalë si presidenti i ardhshëm i Amerikës.