Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, hartuar në bashkëpunim me projektin EU 4 Good Governance financuar nga BE. Strategjia do të shërbejë si dokumenti politik themelor që parashtron zotimet konkrete të të gjitha institucioneve përgjegjëse për thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni tha se qëllimi i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, është që, përmes një qasje të trefishtë të bazuar në parandalim, ndëshkim, dhe ndërgjegjësim, të adresohen sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit.

Strategjia e re ka në fokus ndërmarrjen e një serie masash sistemike për konsolidimin e standardeve më të larta të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike dhe private në vend, me synim final, ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët. Ky dokument vë theksin në rritjen e sinergjisë dhe përmirësimin e koordinimit efektiv mes të gjitha institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit. Masat e parashikuara janë tërësisht të harmonizuara me vizionin kombëtar për Shqipërinë 2030 drejt Bashkimit Evropian, si dhe adresojnë të gjithë zotimet që burojnë nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian, për institucione më solide që krijojnë dita-ditës rezistencë të shtuar ndaj çdo cënimi të integritetit.

Në Strategji janë evidentuar sektorët më të riskuar ndaj të cilëve do të të ketë vigjilencë të shtuar për llogaridhënie më të madhe dhe transparencë të plotë në kryerjen e detyrave nga institucionet. Mes këtyre sektorëve renditen Pronat, Tatimet dhe Doganat, Shëndetësia, Kontratat Publike (Prokurimet dhe Koncensionet) dhe Arsimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights