Bashkia e Tiranës nisi rindërtimin e shkollës “Pjetër Budi”, për ta çuar në 46 shkolla të reja në total numrin e institucioneve arsimore në kryeqytet në 9 vjet. Me arkitekturë moderne dhe standarde shumë herë më të mira se shkolla e vjetër, shkolla e re do të jetë tre herë më e madhe se ajo ekzistuese. Godina do të përbëhet nga 28 klasa për nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe 2 klasa për ciklin parashkollor, duke eliminuar nevojën për të patur turn të dytë.
Fillimi i punimeve u ndoq nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se shkolla e re do të jetë gati për vitin e ri arsimor. “Është vërtet gëzim sepse po lind diçka e re, siç është nostalgji se po çmontohet diçka e vjetër. Unë e kam kaluar disa herë këtë përjetim, e kuptoj edhe historinë e Teatrit, – ka shumë nostalgji për gjënë e vjetër – por do shohim përpara, jo mbrapa. Do punojmë për 100 vitet e ardhshme dhe jo për ato të kaluarat. Sot hapim një faqe të re! Një falenderim prindërve që janë treguar bashkëpunues. Ne do të shmangemi vetëm një vit nga “Pjetër Budi”, për të shkuar te “Vasil Shanto” dhe te “Sabaudin Gabrani”. E kemi afatin 12 muaj, do të mundohemi ta bëjmë për 10 muaj, që ta kapim shtatorin tjetër”, theksoi Veliaj.