Pothuajse 9 milionë euro në vit për të mbuluar kostot e ambienteve të hoteleve me 4 dhe 5 yje, gjithashtu me plazhe private, të destinuara për të pritur 295 policë dhe karabinierë në Shqipëri.
Kjo është ajo që shkruajnë mediat italiane, duke iu referuar Ministrisë së Brendshme në Itali, për marrjen me qira dhomave për agjentët italianë të përfshirë në menaxhimin e qendrave të paraburgimit të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, të cilat janë gjithashtu bosh për shkak të vendimit të gjyqtarëve në Romë.
Mediat shkruajnë se nga sa rezulton nga dokumentet e Departamentit të Sigurisë Publike, kontrata me fituesin parashikon “një shërbim akomodimi në dhoma hoteli teke me katering dhe shërbime të ngjashme për një kohëzgjatje prej 12 muajsh për një shpenzim maksimal të vlerësuar në 8,897,200 Euro”.
Sipas mediave italiane, Ministria e Brendshme ka kryer një sërë kontrollesh paraprake për të përjashtuar lidhjen e strukturave me qarqe kriminale.
E gjithë kjo ka shkaktuar një tjetër sulm ndaj Qeverisë Meloni.
Gennarino De Fazio, Sekretar i Përgjithshëm i Uilpa, shprehet se ndërsa “kompania kontraktore do të vërë në dispozicion të operatorëve dy hotele me plazh privat, qendër Wellness, pishina dhe restorant”, Ministria e Drejtësisë “vazhdon të mbajë në parafabrikate pjesëtarët e policisë penitenciare të punësuar në drejtimin e IEVP-së në Gjadër”, që cilësohet si një struktur pa arredimin më elementar.
Angelo Bonelli, zëdhënës i Green Europe, ka edhe një reagim më të ashpër, teksa shprehet: “Giorgia Meloni, e cila gabon me makinën llogaritëse, ia ka dalë në Shqipëri të vërë përballë policinë e shtetit me policinë e burgjeve. 295 punonjës të policisë së shtetit do të qëndrojnë në hotele në 4-5 yje, ndërsa 46 oficerët e burgut do të flenë në kontejnerë”.
E gjithë kjo – thotë Bonelli – është rezultat i propagandës së kryeministres Meloni, e cila shpenzon mbi 10 milionë euro për këtë çmenduri, duke shkurtuar fondet për shëndetin publik, shkollat, shërbimet sociale dhe transportin publik.
Në të njëjtën linjë janë edhe liderët e tjerë të opozitës.