Nënpresidentja Kamala Harris pritet të paraqesë sot argumentet përmbyllëse të fushatës në kryeqytetin e vendit, në Uashington, nga i njëjti vend ku ish-Presidenti Donald Trump mbajti fjalimin përpara se mbështetësit e tij të sulmonin dhunshëm Kapitolin, më 6 janar të vitit 2021.

Zonja Harris do të zotohet para amerikanëve sot se do të punojë për të përmirësuar jetën e tyre, duke i mëshuar argumentit se rivali i saj, Trump punon vetëm për veten e tij.

Ndërsa mbetet një javë nga dita e zgjedhjeve, fjalimi i zonjës Harris në vendin e njohur si Elipsi, referuar ndonjëherë si Parku Jugor i presidentit, pranë Shtëpisë së Bardhë, është projektuar për të inkurajuar amerikanët të bëjnë dallimin mes një të ardhmeje me të (Harris) në Zyrën Ovale, apo me Donald Trumpin.

Ajo shpreson të vërë theksin në kontrastin mes tyre, duke e mbajtur fjalimin nga i njëjti vend ku gati 4 vjet më parë, zoti Trump pohoi pa fakte se zgjedhjet e vitit 2020 u manipuluan, dhe ku frymëzoi turmën e mbështetësve të tij të marshonin drejt Kapitolit në një përpjekje që dështoi, për të penguar çertifikimin e rezultatin që shpallte fitues demokratit Joe Biden.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights