Shtatë qytetarë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe kampionia olimpike e Kubës në hedhjen e çekiçit, Yipsi Moreno, u betuan për shtetësinë shqiptare para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në ceremoninë e betimit, që u mbajt në ambientet e bashkisë, Veliaj u shpreh se është krenar që Tirana sot po jeton ditët e saj më të mira, duke u kthyer gjithmonë e më shumë në një qytet të mundësive edhe për shtetas të huaj.
“Jam krenar se si Tirana po kthehet gjithmonë e më shumë një vend i mundësive, për ata që e shohin këtu jetën e tyre, karrierën dhe të ardhmen e tyre. Sot betohen për shtetësinë shqiptare njerëz që vijnë nga Kolumbia e Kuba, e deri te Europa e Azia, të cilët bëhen pjesë e skuadrës “Team Albania”. Ky është ndoshta momenti ynë më i mirë, momenti më i mirë i kësaj skuadre. Sot Tirana është në ditët e saj më të mira. Në vitin 2025 do të jemi kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, vjet ishim Kryeqyteti Europian i Sportit, ndërsa dy vite më parë ishim Kryeqyteti Europian i Rinisë. Çdo vit jemi diçka europiane, e një vendi që dikur ishte ndoshta vendi më i izoluar në Europë. Të gjitha kanë ndryshuar brenda gjeneratës sonë. Më vjen shumë mirë që një pjesë e madhe e atyre që betohen sot janë sportistë elitarë, pjesë e një fryme të re që ka ardhur në sportin shqiptar”, u shpreh Veliaj.