Partia Demokratike ka informuar Policinë e Shtetit për një protestë që do të zhvillohet të martën, e cila do të zgjasë për tre orë. Sipas njoftimit të dërguar, tubimi do të fillojë në orën 17:00 dhe do të përfundojë në 20:00. Ndryshe nga protestat e mëparshme, PD ka vendosur të zgjerojë mosbindjen civile duke bllokuar disa segmente rrugore. Protestuesit në kryeqytet do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës, në hyrje të Tiranës, si dhe rrethrrotullimet në Milot, Shkozet, Bradashesh, Rrogozhinë dhe Levan. Njoftimi i policisë nuk specifikon nëse protestuesit do të qëndrojnë vetëm në këto pika apo do të lëvizin në zona të tjera. Për të siguruar mbarëvajtjen e këtij tubimi, i cili do të zhvillohet njëkohësisht në disa qytete, janë angazhuar rreth 1200 forca policore. Pothuajse e gjithë policia rrugore do të jetë në terren për të kontrolluar qarkullimin e automjeteve dhe për të parandaluar bllokimin e rrugëve. Policia apelon qytetarëve të shmangin kalimin në këto segmente dhe të përdorin rrugë alternative në rast nevoje. Në përputhje me planin e masave, do të jenë gjithashtu të pranishëm efektivë nga Forcat e Rendit, Shqiponja dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare. Ndërkohë, policia ka njoftuar organizatorët se u garanton të drejtat për të protestuar, por thekson se bllokimi i rrugëve përtej orarit të lajmëruar do të përbëjë vepër penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights