Deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka publikuar sot një video mbi realitetin e hidhur të pensionistëve shqiptarë. Me një “rritje qesharake të pensioneve prej vetëm 20 lekësh në ditë”, Tabaku thekson se kjo është një përpjekje e dështuar për të mbuluar rënien e fuqisë blerëse dhe sfidat ekonomike të 700 mijë pensionistëve në Shqipëri.
Në videon e saj, Tabaku thekson se një pensionist në Shqipëri merr mesatarisht 131 euro në muaj, shumë më pak se fqinjët tanë në rajon dhe në Bashkimin Europian, ku pensionet janë pothuajse dyfish më të larta. “Pensionet shqiptare nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat më themelore të jetesë dhe kjo është një padrejtësi e madhe që po ju bëhet një brezi që ka dhënë gjithçka për këtë vend,” deklaroi ajo.
Sipas saj, rritja e pagave dhe pensioneve nuk duhet të jetë thjesht një manovër propagande e qeverisë. “Politikat aktuale fiskale dhe ekonomike favorizojnë një pakicë të privilegjuar, duke varfëruar shumicën e qytetarëve.“Një skemë e dështuar pensioni, si kjo e miratuar në 2014-2015, nuk mund të sjellë të ardhura të dinjitetshme për qytetarët tanë në moshën e tretë,” përfundoi Tabaku.