Ministrja Mirela Kumbaro priti në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit homologun bullgar Evtim Miloshev, në një takim ku u shkëmbyen përvoja dhe u vlerësuan mundësi bashkëpunimi mes dy shteteve për të forcuar projektet në rajon për turizmin.

Gjatë takimit, ministrja Kumbaro dhe Ministri i Turizmit i Bullgarisë nënshkruan një plan të përbashkët veprimi me qëllim forcimin e bashkëpunimit të dy shteteve në fushën e turizmit. Temë e takimit ishte edhe përpjekja për rivendosjen e linjës ajrore direkte mes Tiranës dhe Sofjes.

Ministrja Kumbaro u shpreh se forcimi i bashkëpunimit për krijimin e itinerareve të përbashkëta, rrit vlerën e të dy vendeve për turistët që vijnë nga larg.

“Është mirë që tregjet tona t’i hapim dhe të krijojmë harta të përbashkëta turistike. Veçanërisht për destinacionet e largëta, është në interesin e të dy vendeve tona, por edhe vendeve të tjera fqinje me ne që të krijojmë itinerare të përbashkëta. Ky ishte edhe qëllimi i planit të veprimit që ne nënshkruam sot me qëllim që turistët që vijnë nga Azia apo nga Amerika, kur vijnë në Bullgari të vizitojnë edhe Shqipërinë dhe anasjelltas. Sot turizmi nuk është thjesht treg, ekonomi dhe industri, por është mbi të gjitha emancipim dhe integrim”, u shpreh ministrja Kumbaro.

 

Gjatë takimit, Miloshev vlerësoi maksimalisht performancën e Shqipërisë në turizëm, e cila konfirmohet edhe nga barometri i Organizatës Botërore të Turizmit. Ministri Miloshev u shpreh se një bashkëpunim i tillë krijon një vlerë të shtuar mes dy vendeve, duke dhënë një shembull të mirë në Ballkan, si dhe duke zhvilluar ekonomitë përmes turizmit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights