Shqipëria pritet që muajt e ardhshëm të aderohet në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur si SEPA. Më 14 tetor 2024, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi takime me Giorgio Andreoli, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Evropian të Pagesave, dhe Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit (DG NEAR), pranë Komisionit Evropian, në Bruksel, në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro, i njohur si SEPA.

Anëtarësimi i Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA përbën një prioritet kombëtar, pasi shënon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian. Përfshirja e Shqipërisë në të do të ndikojë zhvillimin financiar dhe ekonomik të vendit, duke kontribuuar në integrimin e mëtejshëm të saj me tregun e BE-së. Kështu, vendi ynë do të fitojë akses në një treg më të gjerë evropian, duke lehtësuar transaksionet ndërkufitare dhe duke rritur tregtinë dhe investimet.

Më datë 12 qershor 2024, Guvernatori Sejko firmosi aplikimin e Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në zonën gjeografike të skemave SEPA, duke u bërë, kështu, vendi i parë në rajon, i cili dërgoi aplikimin formal për t’u pranuar në këtë zonë. Aktualisht, ky aplikim po shqyrtohet nga Këshilli Evropian i Pagesave, si administrator i skemave SEPA, si dhe nga Komisioni Evropian. Ky i fundit duhet të japë dakordësinë e tij, në kontekstin e integrimit të vendeve joanëtare me tregun evropian, bazuar në rregulla dhe standarde të njëjta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights