Pak orë përpara nisjes së protestës së paralajmëruar nga opozita, masat e sigurisë janë përforcuar në kryeministri. Godina e Kryeministrisë është blinduar plotësisht, duke marrë masa të shtuara për të parandaluar çdo incident gjatë protestës. Dyert e godinës janë mbuluar me hekur dhe mbrojtje shtesë, ndërsa është hequr instalacioni i kërpudhës, për të shmangur dëmtimin e tij siç ka ndodhur në protestat e kaluara. Përveç masave fizike, janë shtuar gjithashtu kamerat e sigurisë me rezolucion të lartë në të gjithë perimetrin e godinës. Shtyllat ku janë vendosur këto kamera janë lyer me graso, një masë e cila ka si qëllim parandalimin e mundësisë që protestuesit të ngjiten mbi to dhe t’i shkatërrojnë, siç ka ndodhur në protesta të tjera të mëparshme. Nga ana tjetër, policia e shtetit ka përgatitur një plan të detajuar masash për sigurinë, i cili është zbatuar që nga dita e djeshme. Sipas këtij plani, janë caktuar akset kryesore të qytetit që do të bllokohen për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, ndërsa një numër i konsiderueshëm forca policie do të jenë në terren për të menaxhuar situatën. Sipas informacioneve të fundit, rreth 1200 oficerë të policisë janë angazhuar për këtë qëllim, duke u përpjekur të parandalojnë çdo dhunë apo destabilizim gjatë zhvillimit të protestës.