Sot, grupi parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur në Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar nismat e fundit të deputetëve socialistë, të cilat janë bërë publike edhe gjatë seancave plenare. në mbledhje u trajtuan edhe ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Kuvend lidhur me opozitën. Sipas burimeve, deputeti Xhemal Qefalia ka shprehur shqetësimin për incidentet e shkaktuara nga Partia Demokratike në dy seancat e kaluara dhe ka kërkuar një menaxhim më të mirë të situatës nga ana e shërbimeve të sigurisë. Mësohet gjithashtu se kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka informuar deputetët se Garda e Republikës është duke hartuar një plan të ri masash për të përmirësuar menaxhimin e situatës në parlament dhe për të shmangur përsëritjen e skenave të dhunshme si ato të seancës së fundit. Ndërkohë, për socialistët ka mbetur i pandryshuar udhëzimi i mëparshëm për të vijuar punën e tyre të pashqetësuar, pavarësisht veprimeve të opozitës dhe akteve ekstreme që ata mund të ndërmarrin. Po ashtu, në Kryeministri janë marrë masat e para për forcimin e sigurisë dhe blindimin e dyerve, përpara nisjes së protestës që do të zhvillohet në orën 18:00.