Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një video në rrjetet e saj sociale për vendimin e fundit të kuvendit që nuk arriti të korrigjojë vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese por i detyron prapë studentët e mjekësisë që të punojnë me detyrim. Një vendim që kujton komunizmin, u shpreh Tabaku ndërsa theksoi se parlamenti nuk korrigjoi veten e tij duke miratuar diçka në kundërshtim me kushtetutën.
Ajo kujtoi fitoren e studentëve të mjekësisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila rrëzoi ligjin që i detyronte ata të paguanin gjobë ose të punonin sipas kushteve të vendosura nga shteti, krahasuar me metodat e periudhës së komunizmit.
“ Sot, nuk ka familje apo student mjekësie që, pasi ka investuar në një nga profesionet më të vështira e që kërkon angazhim maksimal, të thotë se nuk do të punojë. Problemi është se sistemi shëndetësor sot nuk u jep studentëve mundësi për të specializuar dhe për të zhvilluar me teknologjinë dhe pagat e ofruara aktualisht, ” u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi se studentët e mjekësisë përballen me vështirësi për të zhvilluar aftësitë e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve moderne dhe metodave të mësimit të përparuara. Tabaku vuri në dukje se çështja nuk është largimi i studentëve nga vendi, por krijimi i një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm brenda Shqipërisë.
“Do të jem në mbrojtje të studentëve dhe të drejtës së tyre, kudo që janë dhe sido që të luftojnë. Është fatkeqësi që sot truri i Shqipërisë është i detyruar të largohet. Kjo betejë duhet të fitohet për të ndryshuar sistemin e kalbur të shëndetësisë, ” u shpreh ajo.