Lindja e diellit ka nxjerrë në pah dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe rrëshqitja e dherave gjatë pasdites së djeshme në qarkun e Vlorës por dhe çarja e kanalit të ujërave të larta të qytetit.
Qyteti i Vlorës është zgjuar nën ujë. Reshjet intensive të shiut, në nivelin 184.2 mm shkaktuan përmbytje të mëdha. 33 familjet e evakuuara (55 banorë) kanë kaluar natën larg banesave të tyre, ndërsa Bashkia e Vlorës i strehoi në konvikt. Më problematike situata mbetet në disa lagje, ‘Albano dhe Romina’, lagjia ‘Leg Sallat’, lagjia ‘28 nëntori’, zona te Xhamia, zona te Xhamia, lagjja ‘Kushtrim’, lagja ‘Rilindja’, ‘Skela’, ‘Pavarësia’, rruga ‘Hasan Kushta’ rruga “Gjergj Araniti” aksi pranë Kishës Ortodokse dhe bibliotekës publike si dhe pjesë të bulevardit ‘Ismail Qemali’. Ende nuk ka një bilanc të dëmeve të shkaktuara në biznese e banesa, ndërsa autoritetet vendore pritet të nisin me një analizë.
Strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë në terren, ndërsa në mbështetje të tyre janë edhe 24 efektivë të Forcave të Armatosura, me 5 mjete transporti, 3 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 2 pompa thithëse.