Planet e qeverisë për të replikuar një proces në dukje të ngjashëm me reformën në drejtësi përmes të ashtuquajturit “komisioni antikorrupsion” i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj u futën në krizë gjatë kësaj jave, kur institucionet e drejtësisë dhe një numër organizatash të shoqërisë civile refuzuan njëra pas tjetrës që të dërgonin ekspertë.
Komisioni parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” e nisi punën në mënyrë të njënashme, pasi Kuvendi miratoi në prill vetëm me votat e Partisë Socialiste ngritjen e tij mbi bazën e një rezolute të iniciuar nga kryeministri Edi Rama.
Iniciativa u prit me mosbesim dhe u komentua si një përpjekje për “kapjen e institucioneve të drejtësisë”, pavarësisht se një numër ambasadash të akredituara në vend deklaruan më pas pjesmarrjen e ekspertëve të tyre në komision.
Opozita e ka bojkotuar komisionin prej fillimit, ndërsa refuzimi në seri i ftesave nga institucionet e drejtësisë e lënë mazhorancën të vetmen palë në tryezë.