Kursi
i këmbimit të euros me lekun po prek rekorde të reja në rënie gjatë kësaj jave.
Sipas
kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të martën me
110.19 lekë, në rënie me 0.43 pikë të tjera që nga fundi i javës së kaluar.
Rënia vjetore e kursit të këmbimit të euros ka arritur tashmë në pothuajse 9%.
Rënia
e euros duket e pandalshme, që pa nisur mirë sezoni turistik. Sipas agjentëve
të tregut, oferta e monedhës europiane është e lartë. Flukset e larta e hyrëse
të monedhës europiane në vitet e fundit e kanë rritur ndjeshëm masën monetare
në euro.
Depozitat
në euro po vazhdojnë rritjen e pandërprerë edhe në muajt e parë të këtij viti.
Në fund të prillit, ato arritën në pothuajse 6.5 miliardë euro, në rritje me
pothuajse 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të
njëjtën periudhë, rritja vjetore e depozitave në lekë është shumë më e ulët, me
vetëm 3.5%.
tërësi, treguesi që shpreh ofertën monetare në lekë, agregati monetar M2, po
shënon ritme shumë të ulëta të rritjes vjetore, me vetëm 2.4% në fund të muajit
prill.
Ngadalësimi
i ofertës monetare në lekë ka filluar të shfaqë efektet e shtrëngimit të
politikës monetare nga Banka e Shqipërisë dhe rritjes më të ngadaltë të
kreditimit, por pjesërisht edhe efektin e politikës konsoliduese fiskale. Deri
në fund të muajit prill, buxheti i shtetit ishte në suficit të ndjeshëm, madje
në nivele edhe më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,
me 78% më shumë.
Të
gjithë këta faktorë duket se i kanë ndikuar ndjeshëm ekuilibrat e ofertës mes
valutave kryesore që përdoren në ekonominë shqiptare. Tashmë që sezoni veror
është zyrtarisht në prag, pritshmëritë për rritjen e ofertës së euros dhe
forcimit të mëtejshëm të lekut po bëhen edhe më të larta.
Mbiçmimi
i paprecedent i monedhës vendase i bën më të lira importet, megjithëse deri
tani një efekt i tillë nuk po përkthehet në ulje të çmimeve të mallrave të
konsumit që importohen. Megjithatë, në analizat e veta Banka e Shqipërisë
vlerëson se në mungesë të mbiçmimit të lekut rritja e çmimeve të konsumit do të
kishte qenë më e lartë.
Nga
ana tjetër, rënia e euros po godet bizneset eksportuese të mallrave dhe
shërbimeve, që për efekt të kursit, kanë pësuar një rënie vjetore të të
ardhurave me afërsisht 9%.
/Monitor/