Një arsenal armësh përfshirë mina me telekomandë, tritol dhe mijëra fishekë I janë kapur një 66-vjeçari në Lurë. Kanë qenë të dhënat e informatorëve se ai furnizonte grupet kriminale që vunë në lëvizje policinë.
Ajazi siguronte municion dhe armë, me qëllim shitjen e tyre për llogari të grupeve kriminale që veprojnë në qarkun e Lezhës.
3 mina me telekomandë, 2 armë, 40 kallëpe tritoli dhe më shumë se 2 mijë fishekë iu gjetën 66-vjeçarit në momentin e arrestimit.
Për mediat thuhet se të ndaluarit iu kapën edhe 2 armë zjarri dhe 45 krehëra me fishekë. Po ashtu në kutitë që shfaqen në pamje dhe në thasë të ndryshme janë të vendosur edhe 2 mijë e 200 fishekë luftarake.
Policia shprehet se nuk i kishte për vetë mbrojtje, por nga informacionet e marra prej bashkëpunëtorëve ai furnizonte persona me precedentë penale.
Pas konfirmimit të të dhënave në zonë u zhvillua kontrolli i menjëhershëm, ku materialet u gjetën në makinë por edhe në banesë. Dosja i ka kaluar prokurorisë së Lezhës ku I 66 vjeçari do të përballet me akuzat.
Policia po vijon hetimet për të zbuluar personat apo grupet kriminale që kishin porositur armët dhe eksplozivët.

