Lëvizja Evropa Tani (PES) e Malit të Zi fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit (23 mandate), sipas rezultateve paraprake të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI).

Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve (DPS), e Millo Gjukanoviç, e cila udhëhoqi Malin e Zi midis viteve 1990 dhe 2020, doli e dyta me 23.8% të votave (21 mandate). Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, fitoi 14.7% (13 mandate). Sondazhet para votimeve ishin të përafërta me rezultatet preliminare.

Sipas CEMI-t, një koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviç, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave (11 mandate).

Millojko Spajiç, lider i listës së Lëvizjes Evropa Tani (PES), në fjalimin e tij të parë paszgjedhor deklaroi se ishte një fitore e madhe për partinë e tij, e cila nga një parti joparlamentare, u shndërrua në partinë më të madhe në Mal të Zi, për më pak se një vit. Ai theksoi se në të ardhmen nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviç. “Ne presim që qeveria të formohet sa më shpejt, do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlera si tonat. Ne do të formojmë një qeveri të re pro-evropiane”, tha Spajiç. Për 81 ulëset e Parlamentit të Malit të Zi garuan 15 parti dhe koalicione. Të drejtë vote kishin 542.468 qytetarë. Sipas të dhënave të para, në këto zgjedhje votuan rreth 56 për qind e votueseve me të drejtë vote. Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik në Mal të Zi, shifra paraqet rënie të numrit të votuesve për 20 për qind, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020.

Garçeviç: Mali i Zi po hyn në një periudhë jostabiliteti politik

Mali i Zi po hyn në një periudhë jostabiliteti politik dhe do të duhen edhe disa zgjedhje derisa situata të stabilizohet, tha për Radion Evropa e Lirë profesori nga Universiteti i Bostonit, Vesko Garçeviç.

Sipas Garçeviçit, i vetmi koalicion i qëndrueshëm do të ishte ai i formuar nga Lëvizja Evropa Tani dhe koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve, “por është e diskutueshme nëse kjo është e mundur”. Si një variant tjetër të mundshëm të koalicionit qeverisës, profesor Garçeviq sheh një qeveri të pakicës të përbërë nga Lëvizja Evropa Tani dhe partitë e pakicave kombëtare, me mbështetjen e koalicionit rreth Partisë Demokratike të Socialistëve.

Opsioni i tretë, teknikisht, për Garçeviçin, mund të jetë Lëvizja Evropa Tani dhe Lëvizja Ura e kryeministrit të deritanishëm, Dritan Abazoviç. Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Filip Axhiç, tha se dita e zgjedhjeve kaloi si në ‘shtetet më të zhvilluara demokratike’.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç, tha se pret që Qeveria e re të formohet shpejt, “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”. Millatoviç tha se Qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën e reformave dhe, mbi të gjitha, të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve, sundimin e ligjit dhe përshpejtimin e integrimit evropian. Ndërkohë, ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, në një deklarim për media gjatë ditës, tha se pret që Qeveria në Mal të Zi të formohet sa më parë.

“Ne kemi tre vjet që jetojmë në një kohë konfuze, është pothuajse e pashmangshme në jetën e çdo njeriu, çdo vendi, një fazë normale dhe asgjë më shumë se kaq. Mendoj se fotografia tashmë është pastruar pjesërisht, mendoj se do kenë mundësi të formojnë qeveri”, tha Gjukanoviç. Partitë dhe koalicionet kanë dhënë premtime të ndryshme, përfshirë jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights