VAZHDIM…**
Familja e pasur Alltuni ka ditur të shfrytëzojë shumë mirë postin qeveritar që fitoi në shërbim të Turqisë, të cilin e shfrytëzuan për të bërë lidhje martesore me familje të tjera të pasura, përtej çiflikut të tyre, duke hyrë shumë shpejt fuqishëm në elitën e familjeve aristokratike feudale shqiptare, që për kohën quheshin “oxhaqe”. Pjesëtarët e familjes së “oxhakut” të Alltunëve arritën të fitojnë gradat e myteserifit, myteselimit dhe pashait në administratën osmane. Ata erdhën nga radhët e devshirmesë (fëmijë të marrë peng në moshë të vogël, të rrëmbyer ose të dërguar me dëshirë në Turqi, për t’u edukuar dhe për t’i shërbyer, kur të rriteshin, Perandorisë Osmane. Një i tillë ka qenë edhe Skënderbeu). Alltunët bënë karrierë ushtarake dhe fituan poste komanduese. Për herë të parë, postin e myteselimit të Kavajës, Alltunët e arritën në vitin 1734. Ata siguruan të drejtën e vjeljes së taksave në trevën e Kavajës në vitin 1765. Ata u bënë sundimtarë gjysmë autonomë, por të pa shpallur nga pushteti qendror osman. Për t’u forcuar ushtarakisht, Alltunët ftuan në Kavajë malësorë nga krahinat e Shkodrës, Mirditës dhe Matit, një pjesë e të cilëve u bënë krahu i armatosur i tyre. Pashallëku i Kavajës arriti shtrirjen e tij më të madhe me përfshirjen në të të hapësirave të Ishmit, Durrësit, Kavajës, Peqinit dhe një pjese të Myzeqesë, pra nga lumi Mat në veri deri në lumin Shkumbin në jug; në perëndim ishte Adriatiku dhe në lindje kurrizi i kodrave të Kavajës, duke lënë jashtë si pjesë të tij Krujën, Tiranën dhe Elbasanin me rrethinat e tyre. Krahina e Peqinit vetëm përkohësisht ka qenë pjesë e Pashallëkut të Kavajës, i cili ka ditur të shfrytëzojë lidhjet me Ahmet Kurt Pashën e Beratit. Në vitin 1772 dhe për 3 vite më pas, disa feudalë të vegjël peqinas filluan të sulmonin karvanet e kripës së tregtarëve kavajas, përgjatë vijës Egnatia, por shumë shpejt Alltunët do t’i shkatërrojnë dhe do të sigurojnë qetësinë e munguar. Nën vartësinë e tyre do të bien edhe agallarët e Peqinit. Situata do të ndryshojë në dëm të Alltunëve në vitin 1775, kur Ahmet Kurt Pasha i Beratit, me përkrahjen e të dërguarit të sulltanit, Mehmet Pasha Qystendili, do t’i mundë kavajasit në betejën e zhvilluar në Peqin. Ahmet Kurt Pasha vuri nën kontroll: Peqinin, Kavajën, Durrësin, Tiranën dhe Ishmin; mbylli rrugët tregtare të Kavajës, bashkë me skelat e kepit të Lagjit dhe të Bashtovës. Me anë të bisedimeve, Alltunët, për të ruajtur pronat dhe pasuritë e tyre, arritën marrëveshje me Ahmet Kurt Pashën për bashkimin dhe nënshtrimin e përkohshëm ndaj tij, por më vonë do të rivendosin gjendjen e mëparshme. Në shumë raste, Alltunët bënë karrierë në Perandorinë Osmane dhe u shpërblyen nga sulltani me poste të larta shtetërore. Njëri prej tyre, Omer Pashë Kavaja (Alltuni), arriti graden e lartë të sundimtarit të Shkodrës, për të stabilizuar grindjet dhe gjendjen në Shkodër. Omeri ishte bërë njeri i besuar i motrës së sulltanit dhe me ndikim të madh pranë Bejlerbeut të Rumelisë. Motra e sulltanit, për ta fuqizuar ekonomikisht, e kishte emëruar atë komandant të Mukatasë së Durrësit. Ndërsa Omer Pashë Kavaja bënte karrierë në viset e Perandorisë Osmane, nipi i tij Ibrahim Aga Alltuni (Bostanxhiu) – trupat që shërbenin si oficerë, të cilët më pas u organizuan me emërtimin “rojet e mësuara perandorake” – shërbenin për të ruajtur rendin pranë pallateve dhe mjediseve perandorake përgjatë Bosforit, Dolmabahçes dhe Beshiktashit. Shenja dalluese e tyre ishte mbajtja në kokë e një kapeleje të rrumbullakët në formën e një bostani (shalqini). Ibrahim Aga Alltuni (Bostanxhiu), në fillim të vitit 1749, u emërua emin i limanit të Shkodrës. Me përkrahjen e xhaxhait të tij, Omerit, ngriti në Shkodër taksat mbi anijet veneciane dhe drejtoi këtë liman deri në qershor 1749. Siç shihet, këta dy kavajas do të jenë në postet më të larta dhe më të rëndësishme të vilajetit të Shkodrës, para se Bushatllinjtë të merrnin drejtimin e këtij vilajeti, të cilët erdhën në pushtet me ndihmën e Alltunëve. Tregtarët e Shkodrës, bashkë me lundërtarët e Ulqinit, kërkonin me çdo kusht përmirësimin e gjendjes së krijuar në zonën Durrës-Kavajë-Krujë. Për zgjidhjen e kësaj çështje shumë urgjente, Bushatllinjtë dhe Alltunët do të lidhin krushqi me anë të martesës së Ibrahim Alltunit me të bijën e Mehmet Bushatlliut (Plakut), Kaje Hanemin. Kështu u zgjidh edhe pengesa e madhe për vendosjen e qetësisë dhe të rregullit në këtë zonë. Në tetor të vitit 1755, Turqia emëroi për sundimtar të Shkodrës, në detyrën e myteserifit, një feudal jo shkodran, Omer Pashë Kavajën (Alltuni), për të shmangur, siç thotë konsulli i Venedikut në Durrës, Anton Douda, të gjitha mosmarrëveshjet e lindura prej kaq kohësh midis kësaj popullsie, sepse pengonin përkrahjen e tregtarëve shkodranë. “Stambolli, për të ndaluar fuqinë e rritjes së tyre, i dërgoi urdhër Omer Pashë Alltunit që të mblidhte ushtritë dhe të shkonte kundër tyre me një ushtri të madhe. Më 3 dhjetor 1755 sulmoi Caushollajt dhe i mundi, hyri në shtëpitë e tyre dhe, pasi i plaçkiti gjithë mallin dhe pasurinë që kishin, i nxori në shesh,” shkruan Ndoc Nikaj. Sipas zakonit, pallati i Mehmet Pashë Caushollajt, pallatet e Abaz Beut dhe ato të Gradanikëve, që ikën bashkërisht, u plaçkitën dhe iu vu zjarri. Omer Pashë Alltuni, pasi i mundi, i hoqi nga pushteti.
**VAZHDON…**