Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e aktit normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, të Këshillit të Ministrave, i cili ndryshon ligjin “Për tubimet”.
Vendimi u mor më 26 nëntor, pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga disa organizata të shoqërisë civile dhe grupime studentore, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin e plotë të aktit normativ.
Me shumicë votash, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike gjatë zhvillimit të tubimeve, kur kjo sjell pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të shqyrtohet me përparësi. Ndërkohë, kërkesa për shfuqizimin e aktit normativ është kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike, e cila është caktuar të mbahet më 25 nëntor 2026.
Njoftimi:
Më 26.11.2026, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi kërkesën për pezullimin e pjesshëm të zbatimit të aktit normativ nr. 5, datë 28.10.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001, ‘Për tubimet’”.
Kërkesa për pezullim u paraqit nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
2. Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
3. Shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Çështja për shfuqizimin e aktit normativ ishte kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike më 25.11.2026.