Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula mori pjesë sot në aktivitetin e prezantimit të Sistemit Unik të Gjobave “E-Gjoba”, ku theksoi se ky sistem përbën një hap të rëndësishëm në përmirësimin e mënyrës së administrimit, monitorimit dhe ndjekjes së gjobave administrative nga institucionet shtetërore.
Në fjalën e tij Sula tha se prezantimi i sistemit e-Gjoba shënon një hap të rëndësishëm në mënyrën se si institucionet shtetërore administrojnë dhe ndjekin gjobat administrative.
“Ai na bashkon rreth një përgjegjësie konkrete: çdo vendim të dokumentohet saktë, çdo procedurë të jetë e gjurmueshme dhe çdo detyrim të ndiqet deri në ekzekutimin e tij”, shtoi kryeinspektori.
Sula tha se sistemi do të garantojë më shumë transparencë dhe informacion për qytetarët dhe bizneset, të cilët duhet të kenë mundësi të informohen për arsyen e vendosjes së gjobës, institucionin përgjegjës, mënyrën e pagesës apo kundërshtimit të saj, si dhe fazën në të cilën ndodhet procedura.
“Qytetari duhet të dijë për çfarë është gjobitur, nga cili institucion, si mund ta paguajë apo kundërshtojë gjobën dhe në çfarë faze ndodhet shqyrtimi i saj. Institucioni duhet të pasqyrojë saktë dhe në kohë çdo veprim që lidhet me këtë proces”, theksoi Sula.
Inspektorati i Përgjithshëm, në cilësinë e administratorit të sistemit, do të ndjekë përdorimin e regjistrit dhe do të bashkëpunojë me institucionet për adresimin e problematikave që mund të evidentohen gjatë zbatimit të tij.
Sula u shpreh se “saktësia e regjistrimit, respektimi i afateve dhe përditësimi i statusit të çdo gjobe janë elemente vendimtare për funksionimin dhe besueshmërinë e sistemit”.
Në këtë drejtim, Sula, kërkoi nga institucionet përcaktimin e personave përgjegjës, plotësimin e informacionit dhe pasqyrimin në kohë të pagesave, ankimeve dhe vendimmarrjeve përkatëse.
“Një pagesë e kryer apo një vendim i ndryshuar duhet të reflektohet në sistem, në mënyrë që qytetari dhe administrata të mbështeten në të njëjtin informacion të përditësuar”, theksoi Sula.
Sipas Sulës, regjistri i ri do t’u krijojë drejtuesve të institucioneve mundësi më të mira për të monitoruar rezultatet, detyrimet e papaguara dhe ecurinë e procedurave, si dhe për të identifikuar çështjet që kërkojnë ndërhyrje.
“Regjistri do të mundësojë gjithashtu përgatitjen e statistikave dhe raporteve ditore, javore, mujore dhe vjetore, si në nivel rajonal, ashtu edhe në atë kombëtar. Këto të dhëna do të na ndihmojnë të ndjekim ecurinë e procedurave, të identifikojmë çështjet që kërkojnë ndërhyrje dhe të marrim vendime të mbështetura në të dhëna. Kështu do të përmirësojmë veprimtarinë e Inspektoratit të Përgjithshëm dhe do të forcojmë përgjegjshmërinë institucionale”, tha Sula.
Sula falënderoi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe ekipet e angazhuara për bashkëpunimin në realizimin e sistemit, duke theksuar se suksesi i tij do të matet nga besueshmëria e informacionit, ndjekja e procedurave dhe përmirësimi i shërbimit për qytetarët dhe bizneset.
“Angazhimi ynë i përbashkët është ta bëjmë e-Gjoba pjesë funksionale të punës së përditshme. Inspektorati i Përgjithshëm do të ushtrojë rolin e tij si administrator me përkushtim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me ju”, tha Sula.




