Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet me mjete bashkëkohore, në të gjitha akset e kryeqytetit, me fokus ato hyrëse dhe dalëse, për të konstatuar shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e rrugës dhe shkaktojnë kaos në lëvizje.
Gjatë javës së kaluar, policia njoftoi se ka arrestuar dhe proceduar penalisht 40 persona, ka vendosur 5134 masa administrative dhe 49 mjete janë bllokuar pas lëvizjes me karrotrec.
Ndërkaq, masat administrative të vendosura gjatë monitorimit të akseve të kryeqytetit, me pajisje teknologjike, konsistojnë në: 4418 drejtues të ndëshkuar për ndalim, pushim ose qëndrim të gabuar të mjetit; 268 drejtues motomjetesh të ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 149 shtetas të ndëshkuar për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit; 130 shtetas të ndëshkuar për mosvendosje të rripit të sigurimit; 123 shtetas të ndëshkuar për pozicionim të gabuar të mjetit në korsi; 36 shtetas të ndëshkuar për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe për drejtuesit e mjeteve, që të shmangin përdorimin e celularit dhe të alkoolit, si dhe të përdorin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, për të garantuar sigurinë rrugore dhe për të parandaluar ngjarjet me pasoja për jetën dhe shëndetin.




