📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

✕
🌙 Dark
⚫ Contrast
🔄 Invert
⚪ Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
5214

Igor Dodik, djali i liderit të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Millorad Dodik, është mandatuar për formimin e qeverisë së re të Republikës Sërpska, një prej dy entiteteve përbërëse të Bosnjë-Hercegovinës.

Vendimi u bë publik të dielën nga presidenti i Republikës Sërpska, Savo Miniq, pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike. Igor Dodik do të ketë përgjegjësinë për përzgjedhjen e kabinetit të ri, ndërsa për t’u zgjedhur kryeministër duhet të sigurojë edhe mbështetjen e Kuvendit Popullor. Igor Dodik është sekretar organizativ i SNSD-së, partisë që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në fillim të tetorit në Bosnjë-Hercegovinë. Ai ishte gjithashtu bartës i listës së kësaj partie për Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska.

Pas marrjes së mandatit, ai deklaroi se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë dhe se do të duhet të dëshmojë se e meriton besimin e dhënë. Në prioritetet e tij për qeverinë e re përmendi zhvillimin ekonomik, transparencën institucionale dhe menaxhimin e përgjegjshëm të fondeve publike.

“Do të punojmë në mënyrë transparente. Është e domosdoshme të rritet angazhimi në institucionet publike. Duhet të dihet se si shpenzohen paratë. Do të kërkoj menaxhim të përgjegjshëm dhe për lëshime do të duhet të mbahet përgjegjësi”, deklaroi Dodik.

Sa i përket marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, ai tha se bashkëpunimi do të varet nga respekti që, sipas tij, BE-ja do të tregojë ndaj Republikës Sërpska. Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me Serbinë do të ketë një vend të veçantë në punën e qeverisë së ardhshme, duke shprehur dëshirën për vazhdimin e projekteve të përbashkëta.

Dy ditë para shpalljes së emrit të mandatarit, Millorad Dodik kishte bërë të ditur se kryesia e SNSD-së kishte vendosur për kandidatin që do të propozonte për drejtimin e qeverisë, pa zbuluar identitetin e tij. Ai kishte deklaruar se kandidati gëzonte mbështetjen unanime të partisë dhe se do të kishte liri në përzgjedhjen e ministrave.

Më herët, Millorad Dodik e kishte cilësuar të birin si një prej emrave më premtues të SNSD-së.

Igor Dodik, i lindur në vitin 1989 në Banja Luka, është përfshirë në politikën e partisë dhe në drejtimin e aktiviteteve të saj organizative. Ai ka qenë gjithashtu i angazhuar në sektorin e biznesit dhe sportit.

Sipas rregullave kushtetuese, pas propozimit të mandatarit, Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska ka 40 ditë kohë për të zgjedhur qeverinë e re. Kabineti i ardhshëm do të përbëhet nga 16 ministri dhe do të jetë përgjegjës për zbatimin e politikave të entitetit dhe administrimin e institucioneve të tij. Presidenti Savo Miniq kishte paralajmëruar se synimi ishte që qeveria e re të formohej deri në mesin e dhjetorit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights