Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja maksimale të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë, në mbështetje të vendimit për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit të bordit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gasoil) do të jetë jo më shumë se 201 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 189 lekë/litër. Ditën e djeshme bordi kishte vendosur çmimin 204 lekë/litri për naftën me pakicë.
Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 160 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 148 lekë/litër.
Ndërsa, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, do të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 ekë/litër për automjetet.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 19 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i Transparencës tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
