Tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen sërish, me sulme të reja me dronë dhe goditje ajrore që kanë përfshirë disa vende të rajonit. Kuvajti ka njoftuar se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore janë aktivizuar për të neutralizuar dronët armik, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore ndaj objektivave në jug të Iranit, në përgjigje të një sulmi ndaj një instalimi ushtarak amerikan në Bahrein.

Forcat e Armatosura të Kuvajtit njoftuan të martën në mbrëmje, më 17 nëntor, se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të kapur dronët që kishin hyrë në hapësirën e vendit. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e sigurisë.

Përmes një deklarate, ushtria kuvajtiane sqaroi se shpërthimet e dëgjuara në disa zona ishin shkaktuar nga ndërhyrja e sistemeve kundërajrore për të neutralizuar mjetet fluturuese.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur se nga cili drejtim erdhën dronët dhe as nëse sulmi ka shkaktuar viktima apo dëme materiale.

Përshkallëzimi vjen pasi ushtria amerikane kreu sulme ajrore në ishullin Qeshm, në jug të Iranit, pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit. Goditjet amerikane u ndërmorën si kundërpërgjigje ndaj një sulmi me dron të Iranit kundër një instalimi ushtarak amerikan në Bahrein.

Një zyrtar amerikan i tha televizionit Al Jazeera se objektivi i sulmeve ishte një strukturë e përdorur për lëshimin e raketave.

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA raportoi se në ishullin Qeshm u dëgjuan pesë deri në gjashtë shpërthime gjatë mbrëmjes së së martës. Ndërkohë, zëvendësguvernatori i provincës Hormozgan, Ahmad Nafisi, deklaroi se nuk ishin konstatuar dëme në banesa, biznese apo infrastrukturë, ndërsa shërbimet e emergjencës ishin vendosur në gatishmëri.

Më herët, Garda Revolucionare iraniane kishte njoftuar se kishte kryer një sulm të saktë me dronë kundër një sistemi radar amerikan në bazën ajrore Sheikh Issa në Bahrein.

Teherani e cilësoi operacionin si kundërpërgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore iraniane nga dronët amerikanë.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se dronët iranianë ishin interceptuar dhe se sulmi nuk kishte shkaktuar dëme në pajisjet ushtarake apo plagosje të personelit amerikan.

Sipas raportimeve, ky është sulmi i tretë iranian me dronë ndaj Bahreinit brenda pesë ditësh, pas disa javësh qetësie relative.

Alarm për anijet në Ngushticën e Hormuzit, sulmohen tankerët e naftës

Paralelisht me përplasjet ushtarake, shqetësimet janë shtuar edhe për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Forcat e armatosura iraniane deklaruan se tre anije cisternë nafte kishin goditur mina detare të martën, ndërsa po përpiqeshin të kalonin nëpër këtë ngushticë. Ndërkohë, ushtria amerikane pretendon se ka hequr minat nga korridoret kryesore të lundrimit.

Një nga incidentet më shqetësuese lidhet me cisternën *Tara Gas*, e cila lundron nën flamurin e Panamasë. Anija u sulmua të hënën, rreth shtatë milje detare në veri të Khasabit, në Oman, duke shkaktuar zjarr në dhomën e motorëve.

Fillimisht, kompania e sigurisë detare Vanguard dhe autoritetet indiane njoftuan se të 25 anëtarët e ekuipazhit ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Por pas raportimeve për një goditje të dytë, ekuipazhi u detyrua të braktiste anijen.

Sipas një përditësimi të ministrit indian të Porteve, një marinar indian rezulton i zhdukur.

Një tjetër cisternë, *On Phoenix*, gjithashtu me flamur panamez, u godit të hënën nga një raketë e paidentifikuar në brigjet e Omanit.

Pavarësisht përshkallëzimit të situatës, kanalet diplomatike mes vendeve të rajonit mbeten të hapura. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, zhvilloi bisedime me homologun e tij nga Omani, Badr al-Busaidi, ku në fokus ishte siguria e lundrimit në rajon dhe mundësitë për uljen e tensioneve përmes diplomacisë.

Në të njëjtën kohë, prania ushtarake amerikane në rajon po forcohet. Aeroplanmbajtësja e tretë amerikane, USS *Theodore Roosevelt*, ka mbërritur në Lindjen e Mesme, në një tjetër sinjal të shtimit të kapaciteteve ushtarake të Uashingtonit në zonë.

Ndërkohë, zhvillimet në Iran pritet të jenë pjesë e diskutimeve në takimin e parashikuar trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, atij rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping, që pritet të zhvillohet të enjten në Kinë.

Përplasjet e fundit, sulmet ndaj bazave ushtarake dhe incidentet me tankerët e naftës kanë rritur frikën për një zgjerim të mëtejshëm të konfliktit në Gjirin Persik, me pasoja të mundshme edhe për sigurinë energjetike dhe tregtinë ndërkombëtare.