Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë për kallëzimet e kryera mbi ndryshimet ligjore për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe vendosi kalimin e çështjes te Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).
Prokuroria e Beratit njoftoi se hetimet nisën pas ankesës së bërë nga shtetasja N.Xh., specialiste e protokollit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat për pamundësinë e tërheqjes së pagës së saj për shkak të kontradiktave lidhur me formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve. Kjo punonjëse denoncoi drejtuesen e thesarit, A.R. në Berat me pretendimet se i ka shkaktuar dëm ekonomik dhe financiar.
Sipas prokurorisë, pas pyetjes së personave në dijeni, punonjës të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, të gjithë pohuan problemet me kalimin e pagave për muajin gusht 2026.
“Shtetasja M.Sh., shefe e sektorit të buxhetit dhe menaxhimit financiar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, pranoi se punonjësit e gjykatës nuk morën në kohë pagën e muajit gusht. Ajo pohoi se përllogaritjen e pagave për këtë muaj e kreu bazuar në vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë vendimin nr.435, datë 26.08.2026 për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15 viti 2026, për përllogaritjen e pagave të gjyqtarëve nga data 1 Gusht 2026, sipas formulës të përcaktuar në vendimin nr.35/2022 të Gjykatës Kushtetuese e tyre. Por listë pagesa nuk u miratua nga Dega e Thesarit. Ajo pohoi se kërkoi sqarime me email nga drejtuesja e thesarit A.R. e cila e sqaroi që të dërgoheshin pagat e listë pagesave të muajit Gusht 2026 me nivelin e pagave të muajit Korrik 2026 që të bëhej i mundur ekzekutimi nga thesari”, njoftoi prokuroria.
Prokuroria bëri me dije se “nga komunikimi me email zyrtar me Degën e Thesarit në datën 4.9.2026, gjykata u vu në dijeni që të dërgonim urdhër shpenzimet e pagave për personelin e administratës të gjykatës me qëllim mundësimin e ekzekutimit të pagave sa më shpejt. Por kjo nuk u realizua pas ndarja e listë pagesave veç për gjyqtarët dhe veç për administratën bie ndesh me udhëzimin nr.1 datë 21.01.2025, lidhja nr.2 e tij, pasi listë pagesa mujore është një dhe e vetme”.
“Nga hetimet rezultoi se i njëjti procedim penal është regjistruar edhe nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) e cila heton për të njëjtin fakt penal por me rreth subjektesh më të gjëra, përfshirë edhe ato të hetuara prej Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Berat vlerëson se SPAK është prokuroria kompetente për hetimin e procedimit penal nr.440/2026, ndaj shpall moskompetencë lëndore dhe ia kalon çështjen SPAK”, njoftoi prokuroria.
