Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion refuzoi 22 kërkesa paraprake të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Mes tyre, kërkesa për pushim të çështjes dhe pavlefshmëri të disa prej akteve të dosjes, përfshi kërkesën për gjyqim dhe akt-ekspertime.
Ndërkohë, gjykata nuk u shpreh për kërkesën e mëparshme të Beqajt për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues, duke bërë me dije se do të marrë një vendim për këtë çështje në seancat e ardhshme.
Seanca e radhës u shty për më 2 dhjetor, me qëllim që mbrojtja të ketë kohë të njihet me vendimin e ndërmjetëm të gjykatës dhe të vlerësojë nëse do të paraqesë kërkesa të tjera.
Beqaj fitoi lirinë më 31 korrik të këtij viti, pas 15 muajsh në burg. GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kujtojmë se ai u arrestua në 4 korrik të 2024-ës për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Ish-ministri u mor i pandehur nga SPAK, ku u hetuan abuzimet me fondet e kësaj agjensie, që koordinonte fonde të BE-së.
Në përfundim të hetimeve iu komunikuan 4 akuza, ajo e përfshirjes në korrupsion gjatë drejtimit të kësaj agjensie, mosdeklarimit të pasurisë, mashtrim me pasoja të rënda dhe shkelje të barazisë në tendera.
